Një operacion i përbashkët mes autoriteteve të drejtësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, ditën e djeshme ka bërë të mundur shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë, ndërsa janë lëshuar 14 urdhërarreste.
Nga hetimet e deritanishme, rezulton se të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve ose materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti.
Gjatë hetimeve në kuadër të operacionit “Çmontimi”, janë sekuestruar në total 64 armë zjarri dhe municion luftarake, prej tyre 23 armë janë sekuestruar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe 41 armë janë sekuestruar në Kosovë.
Këtë operacion e kishte ndihmuar edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare”, bëhet e ditur në njoftim.
Ndërkohë, mediat në Shqipëri raportojnë se ky grup armët i merrnin nga Turqia dhe modifikoheshin në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër merrej nga Serbia.
Transporti i tyre bëhej me autobusë dhe automjete të vogla, ndërsa secila nga armët shiteshin nga 800 deri në 1 mijë euro. Grupi nuk trafikonte armë vetëm në Shqipëri, por edhe nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian.