Tensionet në qytetin e Moskës kanë përfshirë ballinat e medieve në të gjithë botën. Grupi Wagner i është afruar qytetit tashmë, teksa kryetari të hënën e shpalli ditë pushimi.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Dimitri Androssow anëtar i Këshillit Politik Federal të Partisë së Popullit (PARNAS) i cili tha se ky grup tashmë janë futur në zonat e Moskës.
Ai tha se rreziku që paraqet ky grup për Putinin nuk duket të jetë i njëjtë për qytetarët pasi ata po refuzojnë të vdesin për liderin e Rusisë duke u larguar nga vendi.
Sipas tij, qytetarët nuk e kishin pritur një mobilizim kaq të shpejtë dhe nuk janë aspak të përgatitur për një luftë civile.
Androssow shtoi se as forcat ushtarake nuk janë organizuar mirë madje dhe nuk po mund t’i ndalin anëtarët e Wagner-it.
“Është e vërtetë se Wagner tashmë ka kaluar disa zona duke përbërë një rrezik për qytetarët. Por të njëjtit nuk duan të vdesin për Putinin andaj edhe po zgjedhin që të largohen nga vendi. Nuk janë të gatshëm për këtë betejë. Situata është e rrezikshme. Forcat ushtarake ruse po mundohen t’i ndalojnë por nuk janë të organizuar mirë. Wagner po merr mbështetjen e njerëzve gjithandej. Nuk i pëlqen regjimi i Putinit, grupi është vërtetë i fortë”, tha Androssow për Insajderin.
Mes tjerash ai tha se Putin ndihet i frikësuar dhe i dobët përballë grupit. Sipas tij, kjo tregohet edhe nga fakti se sa shumë i referohet ligjit që nga kërcënimet e para që mori.
“Kjo është luftë civile, e shoh si diçka pozitive sepse çfarë shoh tani është se po dobësohet Putini. E dimë situatën me Ukrainën dhe besoj që kjo situatë të përmirësoj gjendjen atje. Putin nuk ka shumë njerëz që po i qëndrojnë afër kjo është më se e qartë tashmë. Ai po i referohet shumë ligjit, kjo është shenja tjetër që tregon ftiken e tij”, tha ai.
Grupin Wagner, Androssow i përshkruan si vrasës dhe të rrezikshëm por në situatën e tillë pikët pozitive shkojnë për Ukrainën.
Veprimet e tyre ai thotë se mund t’i frikësojnë të gjithë mbështetësit e liderit rus.
Partia PARNAS u shpërnda nga Gjykata e Lartë e Rusisë më 25 maj 2023 sepse nuk kishte numrin e nevojshëm të degëve dhe për shkak të pretendimeve të paraqitura kundër degëve ekzistuese nga Shërbimi Federal i Taksave dhe Ministria e Drejtësisë.