Inkuadrimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA këtë vit dhe mundësia për pjesëmarrje të kampionit të Kosovës Ferronikelit, në Ligën e Kampionëve nuk ka kaluar pa rënë në sy të medieve ndërkombëtare. Është e përditshmja britanike “The Guardian” që ka përshkruar rrugën e vështirë të ish-futbollistit të Ferronikelit Rexhep Rexhepi, i vrarë gjatë luftës së Kosovës dhe arritjen e klubit drenicas në gara evropiane.
Fidan Rexhepi e adhuronte xhaxhanë e tij i cili luante për Ferronikelin. Gjatë javës, ai merrte hua këpucët e xhaxhasë, Rexhepit, për të luajtur futboll jashtë shtëpisë në Koreticë, duke shpresuar se ata në një farë mënyre mund të transmetonin tek ai aftësinë e mënyrës së driblimeve dhe këmbën e majtë të Rexhepit, reputacioni i të cilit ishte përhapur shumë ndër në luginat dhe fshatrat e Drenicës.
Një pasdite, Fidani ishte i pranishëm për të parë Rexhën duke u brohoritur nga turma, emri i tij shkoi si tingëllim në veshët e tij, pasi ai frymëzoi një fitore 3-2 të Ferronikelit. Futbolli ka qenë shpesh një sfidë e rrezikshme për tu ndjekur nga kosovarët gjatë viteve 90-të, njofton Insajderi.com.
Kujtimet rrjedhin lirisht teksa Fidani, tani 28 vjeçar, pi kafe në kafenë e familjes së tij përgjatë rrugës kryesore në Drenas. Ai tregon për sakrificat e xhaxhait të tij, Rexhepit, dhe kohën kur ai u vra nga forcat paramilitare serbe në shkurt të vitit 1999.
“Ndoshta unë jam me fat që jam këtu sot, sepse unë nuk shkova me të”, thotë Fidani pas asaj që ndodhi më 12 shkurt të vitit 1999. Regjioni i Drenicës, në perëndim të kryeqytetit, Prishtinë, ishte zemra e UCK-së. Xhaxhai i tij, Rexha, siç e thërrisnin të gjithë, nuk ishte ushtar i UÇK-së, por i ndihmoi shokëve të cilët ishin pjesë e saj.
Derisa voziti disa metra mes shtëpisë së tij dhe dyqanit që kishin në pronë familja e tyre, dy djemtë e tij dhe Fidani kishin shkuar për të skijuar. Kjo ishte hera e fundit që Fidani e pa të gjallë xhaxhanë e tij.
“Ne mund ti dëgjonim disa zhurma dhe e dinim se diçka nuk ishte në rregull. Ne ishim të frikësuar dhe u kthyem në shtëpi. Njëri nga të afërmit e mi erdhi dhe nuk mund të thoshte asgjë përveç: ‘Atje ka diçka, atje ka diçka”.
“Ne nuk e dinim në ato çaste por ai e kishte parë Rexhën jashtë në rrugë, ishte ende gjallë por po vdiste. Xhaxhai im më i madh doli jashtë të shoh se çfarë po ndodhë dhe pas disa kohësh u kthye prapë, e gjithë familja ishte mbledhur në shtëpi. Kur erdhi në shtëpi, e pash kufomën e tij të vdekur. Ishte hera e parë që pash një person të vdekur”.
Stadiumi që mban emrin e tij, “Rexhep Rexhepi”, ndodhet në afërsi të Poklekut, një fshat ku u krye një nga masakrat më të tmerrshme të luftës së Kosovës, vetëm dy muaj pas vrasjes së Rexhës.
Sot, shumë nga shtëpitë e atij vendi mbajnë flamurin e Shqipërisë. Futbolli nuk mund të shërohen plagët si këto, por ajo mund të japë dritë në këtë rast, dhe këtë është duke e kërkuar familja e Rexhës.
“Vendosëm që të bënim gjithçka për rindërtimin e Feronikelit, për ta bërë atë të fortë, për shkak të asaj që bëri Rexha para luftës”, thotë Naseri, babai i Fidanit, një njeri që flet për vëllanë e tij me krenari.
“Futbolli ka qenë jeta e tij, madje edhe në kurriz të biznesit, ai iu përkushtua prapë atij. Ai kishte ndihmuar edhe financimin e klubit, kur liga jonë ishte ndarë nga Jugosllavia në vitin 1991 dhe kishte një vend të tillë të rëndësishëm në zemrën e tij. Falë Zotit, ne[Ferronikeli] jemi tani në një pozitë të mirë”, thotë Naseri, vëllai i Rexhep Rexhepit, raporton Insajderi.
Feronikeli ishte, përkundër popullaritetit të tyre lokal, një klub i panjohur provincial. Por, pas përfundimit të luftës ata patën një rritje drastike, duke arritur që të ngrihen nga divizioni i tretë në atë të parin. Derisa, në këto rezultate kontribuoi edhe Fidan Rexhepi, i cili para dy vitesh u emërua trajner i të rinjve në skuadër.
“Gjatë gjithë kohës, unë përpiqja të bëhesha si ai “, thotë Fidani. “Pas luftës kam bërë gjithçka për t’u bërë një futbollist. Kur isha 15 vjeç më morën në ekipin e parë dhe më dhanë fanellën me numër 11-të të Rexhës. Babai im më thoshte se unë i ngjaja atij, por nuk isha po aq i mirë sa ai”, rrëfen Fidani, shkruan The Guardian.
Gazeta britanike citon edhe trajnerin e skuadrës nga Drenasi, Afrim Tovërlani, i cili e krahason skuadrën e tij me befasinë e Premier Ligës angleze, Leicester City.
“Unë mendoj se ne jemi të ngjashëm me Leicester Cityn, nëse krahasojmë shumën që ne kemi harxhuar në transferime”, thotë me buzëqeshje Tovërlani. Ndërsa kryetari i klubit, Ekrem Elshani, thotë se “Ferronikeli është skuadër më e organizuar se të tjerat. Ne mbajtëm premtimet tona financiare ndaj lojtarëve dhe trajnerëve”.
Në fitoren e skuadrës së Ferronikelit ndaj Drenicës, në derbin drenicas, kampionët e Kosovës e ftuan vëllanë e Rexhës, Naserin, të futej në qendër të fushës për tu nderuar për kontributin e dhënë.
“Më kujtohet zëri Rexhës atë kohë”, kujton Naseri. “Ai thoshte: ‘Nëse unë vdes për këtë vend, për këtë shtet, lëri gjeneratat e reja të luajnë futboll’”./Insajderi.com