Gucati nga Haga: UÇK lindi nga padrejtësia, jo nga urrejtja mos i gjykoni çlirimtarët si kriminelë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gucati nga Haga: UÇK lindi nga padrejtësia, jo nga urrejtja mos i gjykoni çlirimtarët si kriminelë

    Insajderi
    14 September 2025 - 14:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm para mijëra qytetarëve nga Kosova dhe diaspora shqiptare, të mbledhur sot në Hagë për të protestuar në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Gucati nisi fjalimin me thirrjet: “UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”, duke ngritur atmosferën në parkun pranë muzeut Madurodam, jo larg godinës së Gjykatës Speciale.

    Si ish-i burgosur i kësaj gjykate, Gucati tha se kjo protestë është një zë për dinjitetin e popullit, për drejtësinë e mohuar dhe për historinë e shenjtë të UÇK-së.

    “UÇK nuk lindi nga urrejtja, por nga padrejtësia”, theksoi ai.

    Ai shtoi se liria nuk ishte një dhuratë, por rezultat i sakrificës së djemve dhe vajzave që ranë për flamur dhe atdhe.

    “Jemi pasardhësit e një ushtrie që nuk u përkul as para tankeve e as helikopterëve serbë. Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik. Bota demokratike nuk mund të mbyllë sytë para një padrejtësie kaq të madhe”, tha Gucati më tej.

    Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që çlirimtarët të mos gjykohen si kriminelë.

    Në hapje të protestës u intonua himni kombëtar dhe ai shtetëror, si simbol i unitetit dhe respektit për sakrificën.

    Ndryshe, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, duke u përballur me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark