Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ka folur për qëndrimin e tij në Hagë, duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën e vizitave dhe mbështetjes ndaj tij dhe të tjerëve që ishin të burgosur.
“Unë e kam ditur që ky njeri nuk do të na vizitojë kurrë. Jo vetëm unë, por e dinë të gjithë. Me veprimet e tij të mëhershme në parlament – ‘shkoni në burg, shko Hashim, shko Kadri’ – e kam ditur që nuk do të na vizitojë asnjëherë,” deklaroi Gucati në T7.
Ai shtoi se gjatë kohës sa ishte në burg, Albin Kurti kishte dhënë deklarata publike që, sipas tij, tregonin qasjen e tij selektive.
“Nëse nuk gaboj, ka qenë në televizion kur tha: ‘Bëni të fala veç Rexhës.’ Ne e kemi Rexhën shok, madje mund të them që e kam përtej një shoku, si një mik të ngushtë,” tha ai.
Gucati gjithashtu përmendi se Kurti, kur ishte pyetur nga gazetarët për të burgosurit e Hagës, kishte thënë se “përshëndeste vetëm Rexhep Selimin.”
Hysni Gucati, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ka zbuluar detaje nga qëndrimi i tij në Hagë, duke folur edhe për një incident me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
“Po, ka ardhur atje, por nuk ia kam dhënë dorën. Kam dëshmitarë për këtë punë. Të paktën, nëse nuk më do si parti politike, ne jemi të burgosur si ushtarë të UÇK-së,” tha Gucati, duke kritikuar mungesën e respektit dhe mbështetjes nga ana e Bislimit.
Ai shtoi se Bislimi kishte vizituar Rexhep Selimin, por nuk i kishte takuar të tjerët që po përballeshin me drejtësinë në Hagë.
“Ka ardhur e ka vizituar Rexhën, shumë mirë ka bërë, por neve nuk na ka vizituar. Jemi takuar në korridor, edhe i kam thënë gardianit: ‘Çojem,’ dhe nuk ia kam zgjatur dorën,” tregoi Gucati./Insajderi