Guvernatori i Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka mbajtur takim me ambasadorin e Austrisë në vend, Georg Schnetzer.
BQK thuhet në njoftim se ia ka “sqaruar” ambasadorit austriak aspektet kryesore të rregullores së re, shkruan Gazeta Insajderi.
“Në këtë aspekt, Ambasadori austriak u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore”, thuhet në njoftim.
“Ambasadori Schnetzer u informua edhe lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj. U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK”, vijon njoftimi.
“Në fund të takimit u theksua se BQK në mënyrë aktive po vazhdon me aktivitete të informimit dhe sensibilizimit, përfshirë lëshimin e linjës pa pagesë të dedikuar për qytetarët tanë dhe materiale tjera informuese, duke ftuar ata që ende nuk kanë llogari të hapin një të tillë te secila bankë, e cila për grupe të cenueshme nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024 me Rregulloren e BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike”. /Insajderi.org/