
Anëtari i ekipit kombëtar kroat dhe mbrojtësi i Manchester Cityt, Josko Gvardiol, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për t’u përgatitur për sezonin e ri.
Ai mori pjesë në një simulim të një misioni komando, i frymëzuar nga videot taktike dhe operacionet speciale në jetën reale.
Në këtë trajnim, i zhvilluar në një ambient natyre dhe nën drejtimin e ish-forcave speciale dhe ekspertëve të sigurisë, Gvardiol u përball me detyra të vështira që testuan qëndrueshmërinë, mbijetesën në ekip, orientimin në natë (terr) dhe lëvizjet taktike duke përdorur armë që qëllojnë me fishekë plastikë.
Ky program është dizajnuar për të përmirësuar si aspektet fizike, ashtu edhe ato mendore të pjesëmarrësve.
“Gjithmonë kam dashur të ndiej se si është të jesh pjesë e forcave speciale dhe të kryesh një mision të vërtetë komando,” shkroi Gvardiol në profilin e tij në Instagram.
Gvardiol i shtyn vazhdimisht kufijtë e tij si futbollist, dhe kalimi i kilometreve në terren të vështirë me pajisje komando dhe ngjitja në malet e Kroacisë janë pjesë e përgatitjeve të tij të forta për sezonin që po nis dhe pritet të kulmojë me Kupën e Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ky trajnim është pjesë e projektit “Commando Squad 9”, marka e parë kroate që sjell botën e videolojërave në një eksperiencë të vërtetë, të sigurt dhe të personalizuar për civilët, atletët dhe ekipet që kërkojnë më shumë se vetëm stërvitje klasike.