Kosova vazhdoi stërvitjet për ndeshjen ndaj Rumanisë edhe gjatë ditës së sotme, mirëpo me një lokacion të ri.
Të përzgjedhurit e Franco Fodas kanë stërvitur në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet krahas dy ditëve të kaluara, që stërvitjet i kryenin në kampin nacional në Hajvali, shkruan Express”.
Pas stërvitjes, anësori i kombëtares, Florent Hadërgjonaj tha se shpresojnë në tri pikë, duke e përmendur edhe rastin që kishte ndodhur në Rumani në ndeshjen e fundit.
“Nuk kemi kaluar qysh duhet, kanë ndodhur disa gjëra që nuk duhet të ndodhur, është motivim që t’i marrim tri pikë”, tha mbrojtësi i djathtë sot pas stërvitjes.
Arena dardane do të jetë e stërmbushur të premten teksa futbollisti i kombëtares pret mbështetje të madhe nga tifozeria “Dardanët”.
“Kjo është diçka që na jep zemër të gjithëve, kur luajmë në ‘Fadil Vokrri’, shpresojmë të na motivojnë si gjithmonë që kanë qenë pas neve dhe kryesorja është ne të bëjmë lojë në fushë”, u shpreh tutje Hadërgjonaj.
Ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë do të luhet të premten me fillim nga ora 20:45.