Diskutimet në Kuvendin e Kosovës kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, ku një nga momentet më të tensionuara ka qenë shkëmbimi i akuza dhe ofendimeve mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka përdorur një gjuhë të ashpër gjatë fjalës së saj në seancë, duke e akuzuar deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri, për korrupsion dhe përfshirje në aktivitete të dyshimta.
Ajo e ka quajtur Tahirin “hajn i zdralaft” dhe “hajn i ligës së parë”, duke shtuar se, sipas saj, “deputeti i cili vjen nga liga e parë e hajnisë e dinë shumë mirë që aty nuk ka korrupsion e hajni”.
Pacolli ka akuzuar Tahirin për lidhje me korrupsionin dhe hajnia, duke ia përmendur rastin e shurdhueseve, e pasurinë e tij.
Pas kësaj, ndërhyri nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila ia tërhoqi vërejtjen Pacollit për gjuhën e përdorur.
Megjithatë, pas kësaj, deputeti Abelard Tahiri reagoi menjëherë, duke iu përgjigjur me një replikë të ashpër ndaj deputetes Pacolli.
Ai e kritikoi për fjalimin e saj dhe theksoi se qytetarët e Kosovës duhet të shohin veprimet e saj. Ai e akuzoi atë për shpërndarje të parave në familjen e saj, duke thënë: “Fitoren duhet me pa qysh ia jep vëllait të vet 100 mijë euro si kryetare e komisionit për bujqësi që ka me mbikqyrë ministrin edhe del e fuqishme para qytetarëve. Fitore 100 mijë vëllait, 100 mijë dajës – aq sa po dijmë tash.”
Pas fjalimit të Tahirit, Pacolli dëgjohej duke i thënë sërish “hajn i zdralaft”, duke vazhduar shkëmbimin e akuzave dhe ofendimeve në Kuvend./Insajderi