“Hajvanë, bashkëpunëtorë të Serbisë”- Abdixhiku reagon pas ftesës që mori nga Kurti, ia kujton fyerjet që bënte - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Hajvanë, bashkëpunëtorë të Serbisë”- Abdixhiku reagon pas ftesës që mori nga Kurti, ia kujton fyerjet që bënte

    Insajderi
    08 April 2025 - 18:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se nuk do t’i shkojë në takimin konsultativ që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka paraparë ta realizojë me të.

    Nëpërmjet një reagimi në ‘Facebook’, Abdixhiku ka thënë se fjalët dhe bindjet kanë peshë, teksa ka kujtuar gjuhën e urrejtjes së përdorur nga Kurti në drejtim të tyre.

    LEXO EDHE:

    Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar “besë do të ketë”.

    Abdixhiku tutje ka thënë se LDK’ja pret konstituimin e Kuvendit më 15 prill dhe se nuk do të paraqesë pengesa për këtë.

    Reagimi i plotë:

    Të dashur qytetarë të Republikës,

    Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. Janë reflektim i momenteve që, kur përsëriten, bëhen bindje – shpesh edhe të pakapërcyeshme.

    Për ne, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë.

    Prandaj, secili – veçanërisht ata me pushtet – duhet të jenë të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për bindjet që mbjellin.

    Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë.

    Duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh.

    Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

    Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim.

    Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë.

    Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës.

    Besë do të ketë!

    Le të jetë kjo përgjigje e qartë edhe për të tjerët që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë.

    LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj.

    Sepse fjalët kanë peshë!

    LDK e pret dhe e mbështë konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës.

    LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta.

    I juaji,

    Lumir Abdixhiku /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark