Shtetasi i Kosovës, Ardit Ferizi, e ka pranuar sot fajësinë për depërtim në të dhënat personale të qindra ushtarëve dhe zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, për t’i ndihmuar militantët e Shtetit Islamik (ISIS).
Në dëgjimin e sotëm në një gjykatë federale në Aleksandria të Virxhinias, Ardit Ferizi, deklaroi se ishte fajtor për dhënie të mbështetjes materiale për grupin ekstremist, Shteti Islamik, dhe për qasje të paautorizuar në kompjuter, ka njoftuar Departamenti amerikan i drejtësisë.
Prokurorët thanë se Ferizi, 20 vjeçar, kishte depërtuar në të dhënat e një kompanie private, e pastaj militantëve të ISIS-it, vitin e kaluar, u kishte dërguar fjalëkalime të emailave dhe numra të telefonave të më tepër se 1,300 pjesëtarëve dhe të punësuarve federalë amerikanë, transmeton REL.
Më vonë, ISIS- i kishte publikuar të dhënat në rrjetin Twitter dhe kishte tërhequr vërejtjen se do të “sulmonte në qafën tuaj në tokën tuaj”.
Ardit Ferizi ishte arrestuar në Malajzi në muajin tetor të vitit të kaluar dhe ishte sjellë në Shtetet e Bashkuara në muajin janar të këtij viti. Ai mund të dënohet deri në 25 vjet burg./Insajderi.com