Deputeti Haki Abazi ka bërë zyrtarisht kalimin në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ai ka marrë vendin e tij sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke u ulur në karrigen e deputetëve të AAK-së.
Nga pamjet ai është parë duke biseduar me deputetin, Bekë Berisha.
Abazi, ka vendosur të garojë për një mandat të ri në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke u bashkuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Abazi në një konferencë për media tha se vendimi i tij për të aderuar në AAK ka qenë i motivuar nga angazhimi i përbashkët me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për zhvillimin e vendit dhe integrimin e Kosovës në NATO.
“Mendoj që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vizionin më të qartë, planin më të qartë, hapat e sigurt të depërtimit deri te anëtarësimi në NATO,” u shpreh ai.
Abazi falënderoi AAK-në për mundësinë dhe theksoi se ajo e gjeti “idenë e Skënderbeut me i bë thuprat bashkë e mos me u thy në këto situata shumë delikate të sigurisë”./Insajderi