Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se ishte befasuar kur kryeministri Albin Kurti, ia kishte ofruar pozitën e zëvendëskryeministrit në qeverinë që e kishte themeluar bashkë me LDK-në.
Abazi tha se ishte në Shqipëri kur ishte ftuar nga Kurti.
“Më ka ftuar, kam ardhë prej Shqipërisë, jemi taku dhe më ka tregu për konfiguracionin e qeverisë së tij, bashkë me LDK. Pas krejt konfirmimit për emrat, më është ofru pozita e zëvendëskryeministrit. As nuk e kam pritë, as nuk e kam diskutu, ka qenë befasi, shumë befasi”, tha ai në Pressing të T7.
Abazi është shprehur i lumtur për qeverinë e parë VV-LDK.
Ai ka thënë se bashkëqeverisja e dy partive, ishte rezultat i një angazhimi të gjatë.
“Thellë thellë, kam besu që koalicioni VV-LDK, ka ardhë si rezultat i angazhimit me dekada, që e kam bërë edhe unë, për largimin e një skene politike, që ka qenë problematike”, ka deklaruar ai.
Abazi është një prej deputetëve të pakënaqur të VV-së. Si rezultat i papajtueshmërive me politikat qeverisë të VV-së, ai është lënë jashtë nga ndikimi në vendimmarrje brenda Kuvendit dhe Qeverisë.