Regjisori, aktori dhe skenaristi kosovar Halil Budakova ka thënë se filmi “Shok” nuk do të ishte realizuar pa qenë ndihma e tij.
“Filmi është xhiruar me teshat të mija, ato të paramilitarëve edhe Eshrefi ka ardhë te unë dhe ja kam dhënë pa pare teshat, sepse ka qenë film i metrazhit të shkurtë, kam pas qejf me i ndihmu”, ka thënë Budakova në emisionin “Me Shukin”.
Ai nuk ka dhënë ndonjë prognozë nëse filmi do të fitoj apo jo, mirëpo ka ripërsëritur faktin se po të mos ishte ai filmi “Shok” nuk do të realizohej.
“Unë ja kom dhon teshat, ata e kanë realizuar filmin”, ka thënë Budakova.
Por Budakova i cili kur kishte bërë filmin “Haraçi” kishte thënë se do të jetë ai regjisori i parë që do t’i sjellë Kosovës, Oscar, përsëri nuk është i kënaqur me filmin “Shok”.
“Jo që nuk jam i kënaqur që po marrim pjesë na aty, sepse më rritet zemra për çdo shqiptar në çdo profesion, por autori i këtij filmi është anglezi jo shqiptari, e dyta është film i metrazhit të shkurtë por kjo është një nismë e mirë, “, ka thënë Budakova, raporton Insajderi.
“Kështu që po e them përsëri, se nuk besoj që do të ketë artist që do të marrë para meje ndonjë çmim të madh prestigjioz”, ka shtuar ai.
Budakova ka thënë se është duke e realizuar një film të ri që i ka tri zhanre, horror, aksion, fantastiko-shkencor.
“Në filmat e mi brenda 2-3 viteve do të luajnë aktorë të Hollywood-it”, ka thënë Budakova.