Zëdhënsja politike e LDK’së, Sibel Halimi ka reaguar në lidhje me deklaratën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen anti-kushtetues të Ligjit për Këshillin Prokurorial, shkruan Insajderi.
Halimi tha se ministrja Haxhiu po bën krim dhe po ndërhynë në drejtësi duke komentuar verdiktet e gjyqësorit.
“Si Ministre drejtësie, komentimi i verdikteve të gyqësorit, për më tepër të gjyqësisë kushtetuese është jo vetëm ndërhyrje në drejtësi – në një pushtet të ndarë – por edhe krim, ngase paraqet mësymje antishtet! Nuk mund të synohet “çkapja” e institucioneve siç pretendon partia në pushtet dhe të mos respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese“, ka shkruar Halimi në Facebook.
Ajo tha se Haxhiut nuk i ‘përshtatet sistemi sepse ka fituar vota duke e kombinuar protestën e ligjshme me dhunën‘.
Sipas Halimit, ministrja Haxhiu duhet të jap dorëheqje dhe e jo të akuzoj deri në shkallë urrejtjeje.
“Në vend se Ministrja e Drejtësisë të jap dorëheqje, për faktin se po i rrëzohen Ligjet nga kushtetuesja, një nga një, pikërisht për tendenca të hapura të kontrollit politik përmes kapjës së institucioneve të drejtësisë, ajo vazhdon me akuza e arsyetime inatçore, deri në shkallë urrejtjeje“, ka shkruar tutje zëdhënësja e LDK’së.
Sot, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka mbajtur konferencë për media ku foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ajo e quajti absurd vendimin e Kushtetuesës.