Hamilton, tri gara për të shmangur “rekordin e zi” - Insajderi
×
  • Sport
  • Sport

    Hamilton, tri gara për të shmangur “rekordin e zi”

    Insajderi
    04 September 2025 - 23:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rrugëtimi i vështirë e Lewis Hamiltonit me Ferrarin duket se nuk po njeh fund. Pavarësisht se mbërriti në Holandë me shpresën për një “fillim të ri” pas pushimit veror, fati ishte sërish i pamëshirshëm me të. Në xhiron e 22-të, gjatë daljes nga kthesa e tretë, ai humbi kontrollin e makinës SF-25 dhe përfundoi në barriera, duke mbyllur para kohe garën. Ishte “zeroja” e dytë radhazi për të këtë sezon për shtatë herë kampionin e botës.

    Me 15 Çmime të Mëdha të zhvilluara, britaniku vazhdon të zgjatë serinë më të keqe të karrierës së tij, duke mos u ngjitur në podium asnjëherë deri më tani (fitorja në Sprintin e Kinës nuk llogaritet në statistikat zyrtare). Kështu piloti britanik ndodhet tashmë në vendin e dytë të një klasifikimi të padëshiruar. Rezultati i fundit mjaftoi që ai të kalojë Ivan Kapelin në mesin e pilotëve të Ferrarit që kanë pritur më gjatë për të siguruar podiumin e parë me kostumin e kuq.

    Vendin e parë në këtë listë e mban Didier Pironi. Francezi zhvilloi 19 fundjava gare përpara se të arrinte podiumin e parë me skuadrën nga Maranelo. Ai nuk pati sukses gjatë gjithë sezonit 1981, derisa arriti të “shijonte” medaljen e parë në Çmimin e Madh të San Marinos në vitin 1982. Tani, Lewis i ka edhe tri gara në dispozicion për të thyer serinë negative dhe për të mos u regjistruar në këtë “rekord të zi”.

    Hamilton e di mirë se fundjava në Monza do të jetë e vështirë, gjë që e theksoi vetë në përfundim të Çmimit të Madh të Holandës. Këtë Lewis e tha përpara se të zyrtarizohej edhe penalizimi që do të duhet të vuajë: pesë pozicione në start në Itali, pasi nuk uli shpejtësinë sa duhet gjatë një situate me dy flamuj të verdhë. Përveç Monzës, edhe pistat e Baku dhe Marina Bay janë përpara tij, këto janë tre mundësitë të fundit për të shmangur vendosjen e emrit të tij pranë një rekordi që ka qëndruar i paprekur për më shumë se 40 vjet në Formula 1. Duket absurde që ky rekord negativ të rrezikohet për t’u thyer pikërisht nga piloti më fitues në historinë e Formulës 1.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark