Pas suksesit me shfaqjen “Ëdërra e një nate vere” realizuar në Teatrin Dodona, regjisorja Hana Qena rikthehet në skenën e teatrit me inskenimin e një prej dramave më të njohura postmoderne.
Është “Hamletmachine”, drama e shkruar nga Heiner Muller në vitin 1977 në Gjermaninë Lindore, të cilën Qena ka vendosur ta inskenojë si shfaqje në Skenën e Vogël, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Premiera do të jepet sonte me fillim në orën 20:00 ndërsa repriza e parë do të jepet nesër në po të njejtin orar.
Përderisa në dhjetë faqe tekst autori merret jo vetëm më idetë e komunizmit e feminizmit por edhe me idenë e të qenit i kurthuar në kohë e në ndonjë situate, regjisorja Qena ka vendosur që shfaqjen ta shtrijë konform aktualitetit kosovar.
“Në Kosovë, burrëria është e lidhur ngushtë më nacionalizëm, për të qenë burrë duhet të jesh edhe patriot. Me inskenimin e Hamletmachine, dua të vë në pikëpyetje nacionalizmin kosovar, burrërinë dhe feminizmin e pasluftës. Hamletmachine, për mua si regjisore është përpjekje për çlirim nga sindroma e Ofelisë” thotë regjisorja Qena.
E njohur për punën e saj në kolektivin artistic “Haveit”, Qena ka muaj që është duke punuar në realizimin e kësaj shfaqje që është mjaftë provokative dhe që qëllon mbi realitetin e të jetuarit në shoqërinë kosovare.
Hamletmachine huazon skena e tekst nga drama e Shakespeare-it, por nuk ka dialog e as linjë dramatike. Në pesë aktet, të cilat dallojnë nga njëra tjetra, Ofelia dhe Hamleti paraqiten si hije mistike të figurave reale e historike.
“Nuk ka sinopsis ‘konvencional’ për këtë tekst, më shumë ngjan me një ekspozitë të gjallë të cilën mund mos ta kuptoni të tërën por gjithsesi do të intrigoheni nga ajo”, thuhet në komunikatën e Teatrit Kombëtar për këtë shfaqje.
E për ta realizuar këtë “ekspozitë të gjalë” nëpërmjet lojës, Qena ka punuar me dy prej aktorëve më premtues në gjeneraten e re të aktorëve, Ermal Sadiku si Hamleti, dhe Alketa Sylaj në rolin e Ofelisë.
Teksa, fabula në dramën “Hamletmachine” nuk është e fiksuar, as në kohë, e as në vend të përcaktuar, në këtë mënyrë, personazhet nuk kanë qëndrueshmëri.
Qena ka bashkëpunuar për një skenografi minimale të realizuar nga Genc Kadriu dhe muzikë të Geri Kacerja. Edhe posteri i shfaqjes i punuar nga Manshu Li I vendosur në hyrje të Teatrit Kombëtar intrigon mjaftueshëm për konceptin regjisorial të Qenës.
Kritikët thonë që drama e Muller, “Hamletmachine” është kritikë për paaftësinë e intelektualëve evropianë për të bërë ndonjë ndryshim në ciklin e dhunës e revolucionit e në këtë situate, sipas regjisores, janë edhe personazhet e tekstit: Njerëz që tentojnë të bëjnë ndryshime por në fund dorëzohen sepse janë personazhe të ngujuara, janë intelektualë të dështuarr./Insajderi.com