Në Galerinë e Arteve të Ferizajt, studentë të Fakultetit të Arkitekturës të kolegjit UBT kanë bërë hapjen e një ekspozitën të titulluar “Modernizmi në Ferizaj” lidhur me ndryshimin e arkitekturës së këtij qyteti që nga viti 1960 deri në 1990.
Studentët përmes kësaj ekspozite që e kanë realizuar me ndihmën e profesorëve të tyre, Kujtim Elezi dhe Arbër Sadiki, kanë paraqitur “ndryshime të përgjithshme socio-ekonomike në Kosovë, e që direkt reflektoheshin edhe në zhvillimet urbane të qyteteve të saj” në këtë rast të Ferizajt.
“Nisur nga gjetjet e hulumtimit, analizës, vlerësimit dhe klasifikimit të materialit të shtjelluar, mund të përfundohet se arkitektura moderne në Ferizaj erdhi si rezultat i modernitetit të përgjithshëm shoqëror”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga profesorët të cilët kanë realizuar ekspozitën së bashku me studentët.
“Ndërtimi i qytetit me parimin “për njeriun e ri socialist”, shpesh ishte në mospërputhshmëri me mënyrën tradicionale të jetesës dhe si të tilla shpesh edhe të rrefuzueshme”.
Ekspozita është hapur një ditë më parë dhe do të qëndrojë e hapur deri edhe për një javë. /Insajderi.com