Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ndodhet akoma në Francë duke pritur verdiktin e autoriteteve franceze, ka deklaruar se pret që shpejt të kthehet në Kosovë, e sipas tij, po aq shpejt duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
Duke folur për gazetametro.net, Haradinaj ka sqaruar se po që se vendos drejtësia, gjithçka duhet të përfundojë më 27 prill.
‘Nëse për mua vendos drejtësia, gjithçka përfundon më 27 prill dhe unë i kthehem punëve në vendin tim. Dhe, unë besoj se kështu do të ndodhë’, ka thënë Haradinaj për gazetametro.net.
Ndërkohë, Haradinaj po kaq shpejt mendon se duhet të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Sipas tij, zgjedhjet janë zgjidhja, pasi Qeverisja aktuale thotë se ka dëshmuar që është e pafuqishme.
‘Vendi duhet të shkojë në zgjedhje menjëherë. Çdo vonesë e mëtejshme, i faturohet qytetarit, sepse qeverisja aktuale është dëshmuar e pafuqi që të adresojë qindra çështje me të cilat po përballet vendi’, ka thënë ai për Metron.
Ndërkohë, Haradinaj po pret 27 prillin ku do të mbahet seanca në të cilën do të vendoset për çështjen e tij. E kjo, është hera e katërta kur ish-komandanti i UÇK’së ka dalur para autoriteteve franceze për të dëgjuar verdiktin e tyre.
Ndryshe, Haradinaj po mbahet në Francë që nga 4 janari i këtij viti, pasi u ndalua në Francë nga INTERPOL’i në bazë të një arresti të lëshuar nga shteti serb./gazetametro.net