
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas njoftimit nga KESCO se nga nesër do të blejë pothuajse të gjithë energjinë elektrike për konsumatorët, për shkak të kolapsit të Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Kosova sot fle mbi thëngjill, por nuk ka rrymë. Të gjitha blloqet kanë rënë dhe aktualisht nuk prodhohet asnjë kilovat energji nga KEK. Kjo nuk është rastësi, por pasojë e një kolapsi të qëllimshëm, të diktuar nga direktiva politike dhe të mbështetur nga pazaret e mafisë energjetike, e cila kontrollon tregtinë me energji në vend”, shkroi Haradinaj në një reagim publik.
Ai akuzoi pushtetin aktual se ka penguar projekte strategjike për përfitime të ngushta personale.
“Të njëjtët që sot i lanë qytetarët pa energji, dikur krenoheshin se e kishin ndalur ndërtimin e Termocentralit Kosova C dhe se kishin refuzuar gazsjellësin amerikan. I ndalën projektet strategjike për shtetin, për të hapur rrugën e abuzimit dhe të pasurimit për një grusht njerëzish të lidhur me qeverinë” ka thënë tutje ai.
Haradinaj përmendi se organet e drejtësisë janë duke hetuar këtë situatë, por nënvizoi se përgjegjësit tashmë janë të njohur.
“Prokuroria dhe do të hetojë dhe gjejë gjithçka, por një dihet; se ky është krim që i është bërë këtij vendi dhe askush nuk duhet të shkojë në përgjegjësi para Kryeministrit në detyrë”, ka thënë ai.