×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj e Krasniqi pajtohen që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve

    Insajderi
    31 July 2024 - 15:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të reja, janë deklaruar dy krerët e partive opozitare, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Memli Krasniqi i PDK-së, shkruan Insajderi.

    Haradinaj ka propozuar 26 janarin si datë të zgjedhjeve, propozim i cili thotë se u mbështet edhe nga partitë e tjera opozitare.

    “Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare. Partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja. Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar”, shkroi ai në Facebook.

    Të njëjtin propozim e ka dhënë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

    Ai ka propozuar që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve parlamentare.

    “Sot, në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarët e partive tjera parlamentare në Kosovë, kam propozuar 26 janarin e vitit 2025 si datën optimale kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta nacionale në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje. PDK ka qenë, është dhe do të jetë gati për zgjedhje në çfarëdo date. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”, ka shkruar Krasniqi.

    Theksojmë se Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me liderët e partive politike në Kosovë, ka thënë se nuk ka parë një vullnet për zgjedhje të jashtëzakonshme, prandaj përgatitjet do të bëhen për zgjedhje të rregullta.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark