Kryetari i AAK-së, Ramush Haradianj, në një konferencë për media ka thënë se votimi pro planit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të propozuar nga Qeveria, është një tragjedi për Kosovën.
Në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limajn, kreu i AAK-së u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të mos e votojnë këtë plan.
“Qeveria e kanë proceduar në Parlament, ky projektligj është gjetur gabim dhe është kundërshtuar nga opozita dhe nga ekspert, por për habinë e të gjithëve po vazhdon insistimi i Qeverisë. Qeveria po bën gabim dhe, sipas meje, është mirë që Parlamenti ta kundërshtojë. Propozoj të rrezohet ky ligj dhe, nëse do të jetë votimi pro, do të jetë një tragjedi për Kosovën. U bëj thirrje deputetëve të mos e votojnë”, është shprehur Haradinaj.
Ndërsa kreu Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga Qeveria që të mos ngutët me procedim të këtij plani, për t’i dhënë mundësi edhe njëherë rishikimit.
“Për këta muaj, Qeveria ka tregu mungesë të vullnetit dhe dëshirës për të ndërtuar një konsensus politik. Qeveria nuk beri asnjë hap, vazhdoi me këmbëngulje procedimin e këtij ligji. E shfrytëzojmë rastin që t’u bëjmë thirrje që Qeveria ta tërheqë dhe të jepet mundësia që të rishikohen të gjitha ato pjesë kontestuese”, ka thënë Limaj.
Të pyetur nëse do ta përkrahin Vetëvendosjen në veprimet e tyre protestuese, të dy liderët partiak janë shprehur kundër./lajmi.net.