Haradinaj flet për Konjufcën dhe Limajn: Kë do të votonte për kryetar Kuvendi? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj flet për Konjufcën dhe Limajn: Kë do të votonte për kryetar Kuvendi?

    Insajderi
    02 May 2025 - 18:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka refuzuar të komentojë ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, drejtuar partive opozitare, duke theksuar se nuk ka qëndrim lidhur me këtë nismë dhe takimet për zgjidhjen e ngërçit politik që ka penguar konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Megjithatë, Haradinaj nuk përjashtoi mundësinë për të votuar Glauk Konjufcën nëse Lëvizja Vetëvendosje tërhiqet nga kandidatura e Albulena Haxhiut, e cila ka dështuar gjashtë herë të sigurojë votat e nevojshme për postin e kryetares së Kuvendit, shkruan Insajderi.

    Ndërsa për një kandidaturë të mundshme të Fatmir Limajt, kryetar i Nismës Socialdemokrate, Haradinaj u shpreh i paqartë dhe pa qëndrim konkret.

    “Ne jemi në pritje që Vetëvendosje të reflektojë në kandidaturë, pra ta gjejë një kandidaturë që na bashkon, dhe shpresojmë që deri nesër ta kemi ndonjë lajm të mirë, që Vetëvendosje ta nxjerrë një kandidaturë unifikuese. Nëse e bënë këtë, nesër do ta kemi kryetarin apo kryetaren e Kuvendit,” u shpreh ai.

    I pyetur drejtpërdrejt nëse do të votonte për Glauk Konjufcën, ai tha:
    “Nuk kemi biseduar për Glaukun, por nuk është problem. Besoj po.”

    Ndërsa për kandidimin e mundshëm të Fatmir Limajt, ai tha:
    “Nuk e di. Nuk kemi qëndrim njëherë, por duhet diskutuar.”

    Për ftesën e Kurtit drejtuar PDK-së dhe LDK-së, Haradinaj nuk dha ndonjë koment specifik:
    “Nuk kam ndonjë koment për këtë pjesë. I kemi qëndrimet tona për Kurtin, për sjelljet e tij, s’kam ndonjë koment për takimin me partitë e tjera.”

    Deklaratat Haradinaj i bëri pas një organizimi solemn me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark