![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Ramush Haradinaj, kandidati i koalicionit Kosova Fituese, sot është duke mbajtur tubimin e radhës me qytetarë në Gjakovë.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se Gjakova gjithmonë ka ditë me i zgjedhë më të mirët, koalicionin Kosova Fituese.
Ai ka përmendur edhe investimet që ka në plan t’i bëjë në këtë qytet.
“Gjakova do të jetë qendër e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Autostrada e Dukagjinit që lidh Prizrenin me Mitrovicën do të kalojë përmes Gjakovës, duke u bërë arteria kryesore e zhvillimit. Hekurudha Fushë Kosovë – Durrës do t’i japë Gjakovës lidhje të drejtpërdrejtë me portin më të madh të rajonit. Zona e biznesit amerikan do ta shndërrojë Gjakovën në qendrën më të madhe shpërndarëse të rajonit”.
“Aeroporti i Gjakovës do të hapet për fluturime komerciale, duke u bërë aeroporti i dytë i Kosovës. Rruga Gjakovë-Klinë do të përfundohet brenda 6 muajve të parë të qeverisjes sonë. Industria prodhuese ushtarake dhe poligoni i NATO-s në brezin kufitar do ta bëjnë Gjakovën qendër të sigurisë rajonale. Të gjithë qytetarët e Kosovës do të përfitojnë nga programi ynë ekonomik. Çdo punëkërkues do të ketë mbështetje financiare deri në punësim”, ka thënë Haradinaj.
Ndër tjera, ai ka shtuar se të rinjtë do të marrin grante pa kthim për bizneset e tyre.
“Paga mesatare do të jetë mbi 1000 euro dhe asnjë pension nuk do të jetë nën 500 euro. Do ta ulim çmimin e energjisë për 20% dhe do të sigurojmë furnizim pa ndërprerje. Çlirimtarët do të marrin pension 500 euro, pa shkëputje nga puna. Do të trefishojmë subvencionet për bujqit”.
Haradinaj sërish ka përmendur anëtarësimin direkt në NATO.