Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar hapjen e Urës së Ibrit, si kundërpërgjigje që Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare do t’ia jepte Serbisë pas deklarimeve për “Kuvendin gjithëserb”.
Haradinaj nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’ tha se Serbia dy herë poshtëroi Bashkësinë Ndërkombëtare dhe QUINT-in, përmes deklaratës së Vulin nga Moska dhe përmes të ashtuquajturit “Kuvendit gjithëserb”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Brenda një jave Serbia dy herë “poshtëroi”Bashkësinë Ndërkombëtare dhe Quintin me të ashtuquajturin “Kuvendi gjithëserb”, ku u dhanë deklarata mesjetare e po ashtu edhe Vulin nga Moska me deklaratat e tij mesjetare të cilat bien ndesh me thirrjet ndërkombëtare për stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Haradinaj.
Për këtë, ai tha se kundërpërgjigjja më e mirë nga bashkësia ndërkombëtare do të ishte hapja e Urës së Ibrit.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, nga Rusia i ka reaguar ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se nuk është qëndrim i SHBA-së ajo që u tha në deklaratën e “Kuvendit gjithëserb” për Kosovën.
Vulin e quajti Hovenierin “të ashtuquajtur ambasador” ndërsa e ka përdorur sërish termin pezhorativ “shiptari”, duke injoruar një vendim të gjykatës në Serbi, sipas të cilin termi është “politikisht i pasaktë dhe ofendues”.
“I ashtuquajturi ambasador i SHBA-së në Prishtinë ka problem me deklaratën e Kuvendit gjithëserb. Hovenier nuk e ka problem që Kurti ta shfuqizojë dinarin, i cili shkel çdo marrëveshje dhe për 12 vjet pa e formuar Asociacionin, por është i zemëruar sepse Serbia dhe Srpska nuk e njohin Kosovën. Nëse e ka më të lehtë, nuk e njohim as si ambasador dhe mezi e njohin edhe Shiptari. Prandaj Hovenier e bën punën e tij në Prishtinë sikur e kanë dërguar si dënim. Shiptari gjithmonë kishin frikë nga bosët në Washington, por edhe nga ambasadorët në Prishtinë. Që kur u dërgua Hovenier tek ata, ata kanë frikë vetëm nga shefat e tij. Na kërcënoni, na zëvendësoni, na futni në sanksione kot, Kosova është Serbi”, citohej të ketë thënë Vulin.
Në anën tjetër, i ashtuquajturi “kuvend gjithëserb” u mblodh të shtunën në Beograd, ku udhëheqës të Serbisë dhe të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, bënë thirrje për unitetin e serbëve në të gjithë rajonin.
Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb. /Insajderi.org/