Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti “ballafaqim” për të folur për punët e qeverisë. Një përgjigje sot ia ka kthyer zëdhënësi i kryeministrit, shkruan Insajderi.
Haradinaj ka qenë veç 2 vjet qeverisje përkundër Kurtit 4.
“Kam qenë kryetar qeverie në më pak se dy vjet – Kurti është katër. Jam i gatshëm të ballafaqohem me listën e sukseseve të Qeverisë Haradinaj të asaj kohe, ai le t’i nxjerrë edhe dështimet nëse ka pasë. Një debat në studio këtu. Dhe ju siguroj se për aq kohë sa ka qeverisur Haradinaj në atë kohë dhe Qeverinë Kurti do ta shihni sa është ndryshimi në mes të listës së sukseseve të asaj qeverie”, tha mbrëmë Haradinaj në Dukagjini.
Sot, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, përmendi një debat që thote se ishte planifikuar në Kuvend me ftesë të AAK-së, por tha se vetë Haradinaj s’kishte qenë prezent.
“Më 24 maj, Kryeministri Kurti e pat shkurtuar vizitën në Londër dhe nga aeroporti erdhi direkt në seancë për përballje. Atë ditë pritej të kishte debat për 3-vjetorin e punës së qeverisë, me ftesë të AAK-së. Në konkluzionet e rezolutës, kërkohej shkarkimi i qeverisë. Debati nuk u mbajt në mungesë të deputetëve të opozitës (vetëm 3 deputetë ishin të pranishëm). Në atë seancë mungoi edhe vetë z. Haradinaj. Tërë dimrin e pranverën këtë vit kanë folur për këtë mocion, prej të cilit hoqën dorë me 24 maj”, shkroi ai në Facebook.
Kryeziu thotë se ftesa që iu bë Kurtit nga Haradinaj është “pakënaqësi me shikueshmërinë e emisioneve ku merr pjesë ai”.
“Tash, ftesa e Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt për debat me Kryeministrin Kurti, nuk ka se si të kuptohet ndryshe veçse pakënaqësi me shikueshmërinë e emisioneve ku merr pjesë ai. Sigurisht që sjellja e Kryeministrit Kurti në të njëjtin kuadër televiziv do ta ndryshonte këtë”.