Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Manastiri i Deçanit dhe kryekishtari i saj Sava Janjiq, duhet të distancohet nga “dhuratat dhe regjimi i Millosheviqit” duke u referuar pronave për të cilët është diskutuar kohëve të fundit.
“Çka i duhen Manastirit të Deçanit edhe dhjetëra hektarë tokë, që nuk janë pronë e tij! Për çfarë do t’i shfrytëzonte ky Manastir këto prona”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj shprehet i habitur me sjelljen e kryekishtarit të Manastirit, Sava Janjiç, i cili, sipas tij, është duke punuar kundër komunitetit.
“Si është e mundur që Sava Janjiq, që është kryekishtar aty, të pranojë logjikën e konfrontimit me komunitetin dhe të mos e kuptojë, se Manastiri mund të lulëzojë e të jetë i qetë në detyrën e tij, vetëm duke pasur marrëdhënie të mira me komunitetin” ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se “Manastirin e Deçanit, edhe në kohët më të vështira është ruajtur e mbrojtur nga shqiptarët, madje edhe atëherë kur ata kanë pasur edhe fuqinë edhe pushtetin”. /Insajderi.com