Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur qeverinë në pushtet si qeveri të territ.
Në një postim në Facebook, Haradinaj thotë se Qeveria Kurti ka kundërshtuar projektin e kontraktuar të termocentralit “Kosova C”, gazin amerikan, e tani thotë se, sipas tij, kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i.
Ai shton se qeveria e tanishme nuk ka ‘qitur’ kurrë asgjë në dritë.
“Kjo Qeveria e territ, ma patën kundërshtuar me krejt fuqinë, projektin e kontraktuar të termocentralit “Kosova C”, që Kosovën e bënte fuqi energjetike, me arsyetimin se çmimi i megavatit prej 80 eurosh, ishte i lartë e sot e paguajnë mesatarisht ka 400 euro; E kundërshtuan gazin amerikan e dolën me bajrak kundër tij”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“U përfshinë në tregti të energjisë, deri me GEN-in e Beogradit dhe u vunë në mbrojtje të sekserëve të tyre si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi, që kishin shpërdoruar miliona euro të buxhetit të Kosovës; Kur e morën pushtetin, bojshin hajgare me “bojlera e filtera”; Tash kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i; E shtrenjtuan rrymën për tri herë e asgjë nuk qiten në dritë; Këta kurrë asgjë nuk qiten në dritë”.