Kryetari i AAK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, bashkë me partnerët e tij të koalicionit kanë bërë homazhe në Reçak, me rastin e 26-vjetorit të masakrës që ndodhi në këtë fshat.
Haradinaj tha se s’do të ndalet asnjëherë së kërkuari drejtësi për Reçakun dhe të gjitha masakrat në Kosovë
“Masakra e Reçakut mbetet plagë e thellë në historinë tonë, dëshmi e pamohueshme e gjenocidit dhe krimeve serbe ndaj popullit tonë. Në këtë ditë përkujtimi, përulemi me respekt të thellë para sakrificës sublime të 45 civilëve të pafajshëm, të cilët u bënë viktima të barbarisë në zemër të Evropës.
Ky krim i tmerrshëm, që tronditi ndërgjegjen e botës demokratike, shënoi kthesën vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Sot, duke nderuar viktimat e Reçakut dhe të gjithë dëshmorët e kombit, jemi më të vendosur se kurrë që Kosova të ecë përpara e sigurt, direkt në NATO, krah aleatëve tanë strategjikë të udhëhequr nga Amerika”, ka shkruar ai.