×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj në Kaçanik: Ne e dëshmuam se si realizohen projektet madhore – Autostrada “Arben Xhaferi” është shembulli konkret

    Insajderi
    15 December 2024 - 16:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Kaçaniku.

    Haradinaj ka thënë se papërgjegjësia e qeverisë aktuale po e mban peng zhvillimin e Kaçanikut dhe gjithë Kosovës.

    “Qeverisja aktuale ka dështuar në mënyrë të turpshme në realizimin e projekteve elementare për Kaçanikun. Stadiumi i filluar para 6 vjetësh qëndron si dëshmitar i paaftësisë së tyre, ndërsa ujërat e zeza vazhdojnë të jenë kërcënim për shëndetin e qytetarëve. Kjo papërgjegjshmëri në qeverisje po e mban peng zhvillimin e një qyteti historik që meriton shumë më tepër”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka prezantuar kandidaten për deputete nga Kaçaniku, Hafize Sallahu.

    “Ne e dëshmuam se si realizohen projektet madhore – Autostrada “Arben Xhaferi” është shembull konkret i vizionit dhe veprimit tonë. Bashkë me kandidaten tonë për Kuvend, Hafize Sallahun, dhe ekipin e profesionistëve të Kosovës Fituese, jemi të gatshëm të sjellim transformimin që Kaçaniku ka nevojë. Impianti i ujërave të zeza dhe përfundimi i stadiumit do të jenë prioritete të menjëhershme”, është shprehur Haradinaj.

    Ai ka thënë se anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, është kthesa e madhe për sigurinë dhe ekonominë e vendit.

    “Antarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, është kthesa e madhe për sigurinë dhe ekonominë e vendit. “Pakoja për Mirëqenien e Familjes” do të prekë çdo shtëpi në Kaçanik. Me rritjen e pensioneve në 500€, trefishimin e mbështetjes për bujqësinë, modernizim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore, do të krijojmë bazën e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien që i duhet vendit”, ka thënë ai.

    Sipas Haradinajt, me 9 shkurt, ndryshimi vjen me Kosovën Fituese.

    “Koha për improvizime ka mbaruar – është momenti për veprim të vendosur dhe qeverisje të përgjegjshme që zgjidh problemet reale të qytetarëve. Më 9 shkurt, ndryshimi vjen me Kosovën Fituese”, ka përfunduar Haradinaj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark