Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka thënë se nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk i dëgjon kërkesat amerikane, ai jep sinjale se dëshiron ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja.
“Nëse Kurti nuk e shtyn implementimin, siç kërkon Amerika, besoj që Kurti po na jep, po e fuqizon atë sinjal që është gati ta dërgojë vendin në zgjedhje dhe nuk është gati ta vazhdojë dialogun, dhe nuk është gati ta vazhdojë dinamikën”, ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini.
Haradinaj gjithashtu ka thënë se partitë opozitare duhet ta pranojnë ftesën e Kurtit, për të diskutuar në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës, ka negociuar fshehurazi në mënyrë jotransparente.
“Escobar tha se ka diskutuar me Presidenten edhe për modele për asociacionin, e gjithë kjo mostransparencë tregon se qeveria ka ecur përpara për negociata. Vetë fakti i ekzistencës dhe jo i mohimit të propozimit franko-gjerman, lë të nënkuptojë se qeveria ka negociuar fshehurazi, pa komunikuar me kuvendin, pa komunikuar me popullin”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Kosova duhet ta themelojë një draft, të ngjashëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës, dhe t’ia ofrojë atë Serbisë.