Haradinaj nuk e takon Abazoviqin, zbardhen arsyet e refuzimit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Haradinaj nuk e takon Abazoviqin, zbardhen arsyet e refuzimit

    Insajderi
    15 April 2023 - 18:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që dy ditë është duke qëndruar në Kosovë.

    Gjatë vizitës së tij, ai ka takuar krerët e shtetit të Kosovës, dhe liderët e partive në vend.

    Nga këta të fundit, nuk e ka takuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

    Gazeta Insajderi nga burimet e saj brenda AAK-së, ka mësuar se lideri i opozitës e ka refuzuar takimin me Abazaviqin, për shkak të qëndrimeve politike të këtij të fundit.

    “Po, Haradinaj e ka refuzuar takimin me Abazoviqin për shkak të qëndrimeve të tij në çështjen e Demarkacionit, marrëveshja me Kishën Serbe etj”, i ka thënë ky burim, Gazetës Insajderi.

    Çfarë kishte thënë Abazoviq për Demarkacioni?

    Dy javë pasi ishte zgjedhur kryeministër i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në një intervistë për Klan Kosova kishte deklaruar se çështja e Demarkacionit është e mbyllur dhe nuk sheh mundësi për rishikim të çështjes.

    “Unë në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Kjo është çështja aktuale”, deklaronte Abazoviq.

    Ai kishte thënë se në Mal të Zi konsiderohet çështje e mbyllur dhe nuk ka asnjë debat rreth çështjes, pavarësisht se në Kosovë çështja kishte ngjallur debate.

    “Për Mal të Zi ajo është e mbyllur kur është nënshkruar, këtu nuk ka sjellur asnjë debat, e di se në atë kohë ka sjellë debat në Parlamentin dhe Mediat e Kosovës, këtu nuk ka sjellë debat. A është bërë ndonjë gabim, është korrekte apo jo korrekte, nuk e kam atë njohuri, pa marrë parasysh, kjo është një përgjigje gjenerale, unë jam për çdo problem që e kemi dhe do të paraqiten gjëra të tjera në të ardhmën dhe unë jam për t’i kryer me një bindje se vetëm me dialog dhe respektim ndërmjet shteteve me tregim të respektit mundemi me ardhë tek konkludimet dhe solucionet që janë të mira për dy palët”, kishte deklaruar Abazoviq, shkruan Gazeta Insajderi.

    Çfarë parashikon marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe?

    Marrëveshja mes Abazoviq dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban disa pika të cilat pretendohet se adresojnë marrëdhëniet midis qeverisë malazeze dhe kishës serbe.

    Fillimisht, marrëveshja përcakton obligimet e shtetit malazez ndaj institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe:

    Ajo e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik apo të drejtat ekstraterritoriale të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend – gjë që i përjashton ato nga juridiksioni / ligjet lokale;
    Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore.

    Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj; Gjithashtu, ajo i jep Kishës Ortodokse një status juridik i cili në disa zona, parashikohet të jetë i njëjti me atë të institucioneve qeveritare.

    Së fundmi, ajo parashikon mundësinë e shtrirjes së mësimeve fetare në shkolla publike dhe kontrollit dhe aprovimit të tyre vetëm nga Kisha Serbe.

    Problemi kryesor me vendosjen e një sasie kaq të madhe pushteti në duart e një kishe të vetme – asaj Serbe – është fakti që komuniteti ortodoks në Mal të Zi nuk i takon vetëm drejtimit serb.

    Sipas statistikave të vitit 2011, 72% e popullsisë malazeze identifikohen si të Krishterë Ortodoks – prej të cilëve, rreth 70% identifikohen si pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që do të thotë se pjesa e mbetur – 30% identifikohen me rivalen e saj, Kishën Ortodokse Malazeze.

    Më pas muslimanët përbëjnë një tjetër 20% të popullsisë dhe katolikët apo fetë e tjera, përqindjen e mbetur.

    Abazoviq gjatë vizitës në Kosovë ka thënë se është i bindur se ai ka bërë gjënë e duhur kur kishte nënshkruan marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe.

    “Unë jam kryeministër që ka dëshirë t’i ndërroj gjërat. Ata që kanë qejf të jetojnë në vitet’90-ta, në status quo, ua pranoj si mendim. Por unë kam qenë drejt”, ishte shprehur Abazoviq, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi është organizata më e madhe fetare. Kemi marrëveshje edhe me Bashkësinë Islame, Bashkësinë Herbreje, Kishën Katolike. Kemi dashur që t’i sjellim të gjithë në nivel sa i takon ligjit”.

    “Është hera e parë kur me marrëveshje kemi marrë obligime. Është njohje. Ata kanë hyrë në sistemin ligjor të Malit të Zi. Kjo nuk ka ndodhur përgjatë 30 vjetëve të Millo Gjukanoviqit, sepse kanë dashur që ta mbajnë si çështje që kur të vjen koha e zgjedhjeve ta aktivizojnë”, thoshte Abazoviq, shkruan Gazeta Insajderi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark