Avokati i Nasim Haradinajt, i cili e përfundoi dënimin prej 4 vjet e 3 muaj burgim javën e kaluar, ka ndarë detaje nga Padia që do të ushtrojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg.
Padia, thotë Toby Cadman, ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të Haradinajt gjatë procesit gjyqësor por edhe në burg, gjithnjë siç pretendohet nga ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së.
Në pyetjen se a ka besim se Gjykata e Strasburgut do ta pranojë padinë që e ushtron Haradinaj ndaj Gjykatës së Kosovës, meqë Republika e Kosovës ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, Cadman shprehet tejet optimist për faktin se nuk do të paditet shteti i Kosovës, por vendet anëtare të BE-së që kontribuojnë financiarisht për funksionimin e Gjykatës Speciale.
“Natyrisht që Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë institucione të Republikës së Kosovës, por ne e dimë se element i ndërkombëtarizimit të kësaj Gjykate ose një formë hibride se si funksionon ajo është fakti se është krijuar mbi bazën e një marrëveshje ndërkombëtare dhe ka një numër shtetesh, shtete të Evropës, që e financojnë atë. Dhe kur e ngrit ndonjë çështje në GjEDNj nuk mund të jetë kundër një individi apo organizate por vetëm kundër shtetit që është anëtar i KiE dhe GjEDNj. Andaj edhe këtë padi e kemi dorëzuar kundër vendeve që janë financuese të Gjykatës”, tha avokati i Haradinajt.