Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot është takuar me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij.
Pas takimit, Haradinaj nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka deklaruar se Lajçak e ka informuar atë në hollësi për marrëveshjen për normalizimin e mardhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.
“I kënaqur që sot në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me kolegë pritëm në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dhe ekipin e tij, të cilët na informuan në hollësi për progresin e arritur deri më tash në përfundimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, marrëveshja është me interes nacional pasi siguron rrugëtim të qëndrueshëm drejt integrimit euro-atlantik të Kosovës.
“Shpreha vlerësimin tim për unitetin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të kësaj marrëveshje. E vlerësova lart angazhimin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në funksion të arritjes së marrëveshjes, rol i cili është jetik në zbatimin e saj. Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kjo marrëveshje është me interes nacional, pasi që e siguron rrugëtimin tonë të qëndrueshëm drejt integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./Insajderi