Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar prioritetet strategjike për zhvillimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se kombinimi i burimeve tradicionale me ato të ripërtëritshme dhe teknologjitë e reja si hidrogjeni i pastër, paraqesin siguri energjetike për të ardhmen.
“Qasja që kombinon burimet tradicionale, ato të ripërtëritshme dhe teknologjitë e reja si hidrogjeni i pastër, është çelësi për të siguruar një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të sigurt për Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
Postimi i plotë: PRIORITETET STRATEGJIKE PËR ZHVILLIMIN E SISTEMIT ELEKTROENERGJETIK TË KOSOVËS Kosova ndodhet përpara një periudhe kritike për transformimin e sektorit të energjisë, ku siguria energjetike, diversifikimi i burimeve dhe përmbushja e objektivave të dekarbonizimit janë domosdoshmëri. Për të adresuar sfidat aktuale dhe për të siguruar një sistem të qëndrueshëm, janë të nevojshme një sërë investimesh strategjike: 1. Ndërtimi i një centrali energjetik me gaz prej 500 MW në Ferizaj • Ky central do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe fleksibilitet operacional, duke shërbyer si burim balancues gjatë periudhave të ulëta të prodhimit nga burimet e ripërtëritshme (energji diellore dhe e erës), krahas sistemit të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS), të financuara nga Qeveria e SHBA, përmes programit të MCC dhe buxhetit të Kosovës. • Lidhja direkte me rrjetin 400 kV të KOSTT-it do të mundësojë integrim efikas në sistemin transmetues. • Kostoja e përafërt: 0.8-1.5 miliardë euro, duke përfshirë edhe teknologjinë e kapjes dhe ruajtjes së karbonit, dhe në varësi të kapacitetit dhe teknologjisë së zgjedhur. 2. Modernizimi i rrjetit transmetues për operim të sigurt dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme • Ndërtimi i unazës së brendshme 400 kV: Siguron stabilitet të sistemit dhe rrit kapacitetet transmetuese për projekte të mëdha energjetike. • Kostoja e përafërt: 100-150 milionë euro. • Unazat 220 kV dhe 110 kV: Forcojnë kapacitetet lokale për integrimin e burimeve të shpërndara të energjisë dhe përmirësojnë fleksibilitetin operacional të rrjetit. • Kostoja e përafërt: • Unazat 220 kV: 50-70 milionë euro. • Unazat 110 kV: 20-40 milionë euro. • Rishikimi i Metodologjisë së Kyçjes: Një qasje më fleksibile nga KOSTT dhe ZRRE për të përshpejtuar integrimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme në rrjetin nacional. 3. Mundësia e zhvillimit të kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit të pastër • Hidrogjeni i prodhuar nga energjia e erës dhe diellit mund të shërbejë si zgjidhje për menaxhimin e furnizimeve të tepërta, duke e ruajtur energjinë nëpërmjet elektrolizuesve dhe duke e përdorur atë për balancim të rrjedhave energjetike. • Hidrogjeni mund të ruhet dhe të përdoret si lëndë djegëse ose si bartës energjie, duke siguruar fleksibilitet të sistemit dhe reduktim të emetimeve të karbonit. • Kostoja e përafërt: • Kapacitetet e elektrolizës: 1-1.5 milionë euro për MW. • Infrastrukturat e ruajtjes dhe transportit të hidrogjenit: 50-100 milionë euro. • Strategjia përfshin ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e hidrogjenit pranë termocentraleve ekzistuese, për optimizim të kostos. 4. Ndikimi i këtyre projekteve në balancimin e sistemit dhe dekarbonizimin • Centrali me gaz: Përveç furnizimit të sigurt, ky central do të mundësojë mbështetje në periudha të paqëndrueshmërisë nga burimet e ripërtëritshme, duke rritur fleksibilitetin dhe sigurinë e sistemit. • Hidrogjeni i pastër: Roli i tij në integrimin e burimeve të ripërtëritshme është thelbësor përmes ruajtjes së energjisë, duke shmangur humbjet dhe duke balancuar rrjetin. 5. Pjesëmarrja aktive në integrimet në tregjet e energjisë rajonale dhe evropiane, për të siguruar mundësi më të mira për tregtinë e energjisë, duke rritur kështu konkurencën dhe ulur çmimet. 6. Përfitimet: • Stabilitet dhe siguri më e lartë operative. • Integrim më i lehtë dhe më i shpejtë i projekteve të energjisë së ripërtëritshme. • Reduktim i varësisë nga burimet konvencionale dhe përmbushje e objektivave të tranzicionit energjetik. Kjo qasje, që kombinon burimet tradicionale, ato të ripërtëritshme dhe teknologjitë e reja si hidrogjeni i pastër, është çelësi për të siguruar një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të pastër dhe të sigurt për Kosovën.