Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet ta padisë gazetën serbe Blic, për shpifje, ndaj të cilës pret edhe dëmshpërblim.
Këtë e bëri të ditur, avokati i caktuar për këtë rast, Arianit Koci, i cili tha se në ditët në vijim do të qëndrojë në Beograd, për të mbledhë fakte.
“Atë që e kam lexuar unë, më të vërtetë unë jam habitë me mos profesionalizmin e blic.rs për shkak të mënyrës naive që e parashkruajnë, që sipas tyre është bart arma nëpër Danub e kalon nëpër Serbi me kamionë të zallit. Unë mendoj që ky tekst më shumë e sulmon Serbinë sesa zotëri Haradinajn”, tha ai në InfoBox në TV Dukagjini.
“Kjo hyn në kategorinë e shpifjeve dhe fryrjeve, dhe ashtu do ta trajtojmë. Do të kërkojmë kompensim dëmi. Kjo mund të shkojë si proces më i gjatë, sepse është situatë e ndjeshme, pasi që e dimë se zotëri Haradinaj nuk e ka ndonjë simpati të madhe në popullatë atje. Unë shpresoj në organe të drejtësisë profesionale në Serbi”, shtoi ai.
Lidhur me kërkesën për dëmshpërblim, Koci nuk dha ndonjë shifër, duke besuar se ato mjete do të jepen për bamirësi. Sipas tij, më shumë rëndësi ka fitimi i rastit.
Madje, Koci thotë se një rast të tillë e ka trajtuar më herët dhe e ka fituar, por jo me shumën që ata e kanë kërkuar.
Sipas kësaj gazete, ngarkesa përmbante 1200 copë pushkë të shkurtra automatike dhe një numër të armëve të lehta.
Por, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një reagim në llogarinë e tij në facebook, ka thënë se pretendime të tilla i kanë rrënjët në Moskë.