Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare tha se vendi ynë është përjashtuar nga harta e investimeve të jashtme.
“Gjermania ka qenë dhe mbetet një shtyllë e fortë në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, si dhe një ndër partnerët tanë kryesorë. Për fat të keq, me qasjen vet-izoluese të Qeverisë së Kosovës, vendi ynë është përjashtuar nga harta e investimeve të jashtme. Këtë e theksoi edhe i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin, në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ku konfirmoi shqetësimin tonë se shumë investitorë po i drejtohen shteteve të tjera të rajonit”, ka deklaruar i pari i AAK-së, transmeton Klankosova.tv
Më tutje Haradinaj ka thënë se vetizolimi i Kosovës po sjell dëme politike dhe ekonomike.
“Vet-izolimi i Kosovës po na sjell jo vetëm dëme politike, por edhe dëme të mëdha ekonomike. Kjo po reflektohet qartë në largimin masiv të fuqisë punëtore dhe mungesën e vendeve të reja të punës për shkak të mungesës së investimeve. Kosovës i duhet ndryshim urgjent, për ta kthyer vendin në rrugën e zhvillimit. Ne kemi potencial në inovacion dhe zhvillim, por për të përfituar nga ky potencial, na duhet një mentalitet i ri qeverisës”, është shprehur Haradinaj.