Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë, Ramush Haradinaj, permes një postimi ka thënë se as armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve.
“Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare”, ka thënë Haradinaj.
Sipas Haradinajt politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore.
“Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Evropa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale. Evropa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor. Ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese”, u shpreh ai.
Gjithashtu ai ka kritikuar edhe presidenten për paraqitjen e saj të fundit televizive.
“Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”, tha Haradinaj.