Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se pavarësisht se partia që ai e drejton është e gatshme për zgjedhje, nuk e konsideron se një proces i tillë zgjedhor është zgjidhja e duhur.
“Nuk mendoj se zgjidhja janë zgjedhjet, se jemi të gatshëm. Aleanca është e gatshme, por nuk mendoj se janë zgjidhje. Ne mund të flasim për zgjedhje, është e drejtë e jona politike, e qytetarëve…nëse e merr Tweetin e Blinken dje, ai Tweet është bukur urdhër, bukur serioz..pas atij Tweeti, po t’ishim një shtet qindmilionësh, po të na kishte thënë sekretari i Shtetit, ishim mbledh krejt e me diskutu se si po ia kthejmë për mirë. Unë nuk e kuptojë një pjesë të madhe të politikës së Kosovës me qenë kaq indiferentë…”, tha ai në RTV Dukagjini.
“Së paku çka mund të bëjnë partitë opozitare në një situatë çfare jemi, është të deklarohen qartë se jemi për mocion. Pra, i kemi 40 nënshkrime, e iniciojmë mocionin, e kërkojmë mirëkuptimin dhe ndihmën e deputetëve që kanë shqetësim për situatën dhe ta ndajmë pra Kosovën në dy pjesë, Kosova e Kurtit, po edhe një tjetër që janë të shqetësuar dhe kërkojnë shkarkimin e tyre”.
Ai po ashtu u shpreh se po të ishte në vendin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta thërriste me urgjencë në një takim kryeministrin Albin Kurti, pas reagimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për tensionet në Kosovë. Blinken u kishte bërë thirrje për ulje të tensioneve Kosovës dhe Serbisë, si dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
E sipas Haradinajt, Osmani do të duhej tashmë të kishte një qëndrim për situatën e krijuar dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Unë e kuptoj që nuk e ka lehtë, por situata është e ndjeshme. Unë besoj se presidentja, me aq sa mundet, është mirë me marrë qëndrim. Unë nuk jam njëri prej atyre që them “le të prishet koalicione”…nëse e kisha parë dje tweetin që ka shkruar Blinken, në vend të presidentes do ta thirrja me urgjencën në takim Kurtin. I kisha mbyllur dyert e do t’i thoja “çka po bëjmë?”. Nuk mundesh pas atij Tweet me diskutu gjëra tjera…”, tha ai.
Ai u shpreh Kurti mund t’i bëjë një nder Kosovës duke i zbatuar tri pikat që i kërkuan ndërkombëtarët.
“Unë mendoj që Kurti mund t’i bëjë endje një nder Kosovës, edhe vetes e edhe VV-së, të marrë guximin e të thotë: Po, i zbatoj tre pikat ose planin evropian, e zbatoj pikë për pike dhe në këtë kohë…Nga kjo, Kosova fiton, me të plan e fuqizon Kosovën sepse nga ai moment jemi palë kontraktuese”, ka deklaruar ai.