Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur angazhimin e tij për implementimin e plotë të Ligjit për trashëgiminë, duke garantuar që çdo grua të jetë trashëguese dhe bartëse e barabartë e pronës së paluajtshme.
Gjithashtu, Haradinaj ka theksuar se për fëmijët nën 6 vjeç do të ketë shtesa mujore në vlerë prej 150 eurosh, ndërsa për ata mbi 6 vjeç do të jenë 200 euro.
Në vazhdën e prezantimit të programit zgjedhor, ai ka deklaruar se gruaja në shoqërinë dhe shtetin tonë duhet të trajtohet me nivel më të avancuar. Haradinaj ka theksuar se “Gruaja në shoqërinë e në shtetin tonë, duhet të ketë një trajtim shumë më të avansuar. Ajo më në fund duhet të jetë krejtësisht e barabartë. Vetëm me përdorimin e slloganeve se gruaja është e barabartë dhe do t’i zbatojmë kuotat gjinore, nuk i përmbushim obligimet tona. Para se me masa administrative e me vendosjen e kritereve gjinore, duhet të punojmë në vetëdijësimin e secilit prej nesh, ku njëherë e përgjithmonë do të hiqet dorë nga të ashtuquajturat norma kanunore mbi të drejtat e grave.”