Haradinaj takon bizneset: Rritje ekonomike 7%, infrastrukturë moderne dhe përkrahje për biznese – Insajderi
×
  • Zgjedhjet 2025
  • Zgjedhjet 2025

    Haradinaj takon bizneset: Rritje ekonomike 7%, infrastrukturë moderne dhe përkrahje për biznese

    Insajderi
    04 February 2025 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj prezantoi sot planin ekonomik të koalicionit “Kosova Fituese”, duke premtuar investime kapitale prej 25 miliardë eurosh, prej të cilave 16 miliardë pritet të vijnë nga sektori privat.

    Gjatë takimit me përfaqësues të bizneseve, Haradinaj paraqiti një vizion ambicioz për transformimin ekonomik të vendit, duke synuar rritje ekonomike deri në 7%.

    “Qeverisja jonë do të jetë partnere me bizneset. Ne do të hapim rrugën për një zhvillim të hovshëm ekonomik përmes politikave buxhetore efektive, masave fiskale që përkrahin bizneset dhe politikave tregtare që nxisin prodhimin dhe eksportin,” deklaroi kandidati për kryeministër.

    Plani parasheh investime madhore në infrastrukturë, duke përfshirë 3 miliardë euro për rrugë, 1.5 miliardë për arsim dhe shëndetësi, si dhe 1 miliard euro për modernizimin e hekurudhave. Një theks i veçantë i është kushtuar furnizimit të pandërprerë me energji elektrike dhe ujë, si dhe krijimit të zonave të reja ekonomike biznesore në të gjithë vendin.

    “Ne do të ofrojmë lehtësira të konsiderueshme për bizneset, përfshirë lirimin nga tatimi në fitim për 5 vjet për investitorët e rinj dhe mbulimin e 50% të pagës për 6 muaj për bizneset që punësojnë gra,” shtoi Haradinaj, duke theksuar se këto masa do të stimulojnë investimet dhe punësimin.

    Programi parasheh gjithashtu projekte të rëndësishme me partneritet publiko-privat, përfshirë ndërtimin e termocentralit me gaz në Ferizaj, zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme dhe modernizimin e Trepçës. Të hyrat totale buxhetore gjatë mandatit qeveritar pritet të arrijnë në 22.5 miliardë euro, duke përfshirë edhe rritjen e borxhit publik.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark