Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj kërcënimeve që i janë bërë pjesëtarëve të komunitetit serb që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
Haradinaj përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se këto presione dhe kërcënime janë të papranueshme dhe përpjekje për ta penguar qetësimin e situatës.
“Presionet dhe kërcënimet ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera në veri, që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës, janë të papranueshme dhe përpjekje për të sabotuar depërshkallëzimin dhe qetësimin e situatës. Pjesëtarët e komuniteteve pakicë, përfshirë këtu edhe serbët, duhet të lejohen të lirë në realizimin e të drejtave të tyre qytetare”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje Haradinaj ka thënë se qytetarët serbë dhe të secilës pakicë, duhet ta konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre.
“Qytetarët serbë dhe çdo pjesëtar i komuniteteve pakicë duhet ta konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre dhe të integrohen plotësisht në institucionet e Kosovës!”, ka shkruar kreu i AAK-së.