Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kundërshtimi opozitar po arrin efektet e veta për siç thotë mbrojtjen e shtetit.
Sipas tij, për shkak të kundërshtimit opozitar është ndaluar zbatimi i dy marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria.
‘’Si rezultat i këtij kundërshtimi, është ndalur zbatimi i dy marrëveshjeve të dëmshme për vendin, Marrëveshjes së Asociacionit dhe Demarkacionit. Ky kundërshtim u dëshmua i domosdoshëm edhe në ditën e votimit të Presidentit, ku Kuvendi i Kosovës, arriti ta kontrabandojë për President, arkitektin e kapjes së shtetit’’, shkruan Haradinaj në Facebook.
Haradinaj, thekson se AAK-ja është e vendosur që përmes zgjedhjeve të parakohshme t’i kthehet mandati i qytetarit.
‘’Unë dhe AAK, do të mbetemi të vendosur e të bindur se fronti qytetar, është më i fortë se sa këta që e kanë kapur shtetin. Ne së bashku me qytetarët, do të dimë që fuqinë që e kemi dhe që qindra e mijëra prej jush e manifestuat në disa protesta radhazi, ta orientojmë në rikthimin e demokracisë në vend. Kjo do të behët, vetëm duke ia kthyer mandatin qytetarit, përmes zgjedhjeve të parakohshme’’, shkruan Haradinaj.
Haradinaj po ashtu theksoi se opozitarizmi u dëshmua edhe në seancën kur u zgjodh president i ri i vendit, Hashim Thaçi, që sipas tij është arkitekt i kapjes së shtetit./Insajderi.com