Në kohën kur ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetin, Victoria Nuland, po qëndron në Kosovë, duke takuar liderët e institucioneve, me të cilët ka biseduar edhe për procedimin sa më të shpejtë të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka postuar një video në llogarinë e tij në facebook, duke u kërkuar deputetëve që të votojnë kundër kësaj marrëveshje.
Ndonëse nuk e pati mundësinë t’ia thotë këtë kundërshtim vetë Nuland-it, pasi që ajo nuk e kishte në agjendë takimin me liderët opozitar, Haradinaj zgjodhi që përmes një video mesazhi të llobojë kundër marrëveshjes për Demarkacionin.
“Kosova është përcaktuar fuqishëm për rrugën e saj euro-atlantike. Votimi kundër ratifikimit të versionit aktual të Demarkacionit me Malin e zi, veç sa e forcon këtë përcaktim tonin. Prandaj u kam bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe faktorëve vendimmarrës, që të jemi të bashkuar në votën kundër këtij version të demarkacionit, në mënyrë që t’i hapim rrugë zgjidhjes së kësaj çështjeje të rëndësishme për vendin”, ka thënë Haradinaj.