
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pasi nuk u dolën shtesat policëve.
Sipas Haradinajt, siguria në vend është bërë e brishtë dhe e luhatshme për shkak të veprimeve të pakoordinuara të qeverisë, e cila ka dëmtuar raportet me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë dhe po rrezikon mirëqenien e policëve dhe ushtarëve në Kosovë.
“Çmimet e rritura, faturat e fryra dhe pagat e njëjta ia pamundësojnë punën e dinjitetshme secilit, e sidomos këtyre kategorive që vënë në rrezik jetët e tyre. Prandaj, dëgjojmë çdo ditë që polici e ushtari po largohen nga detyrat e tyre fisnike për të siguruar mirëqenie familjare,” ka deklaruar Haradinaj.
Postimi i plotë:
Turpi vazhdon!
Ata që janë përgjegjës për qeverinë, ministritë dhe agjencitë buxhetore, nuk marrin përgjegjësitë dhe tallen me sektorin më vital të shtetit, Policinë, Ushtrinë. Përpos që u mohojnë paga të dinjitetshme, i lënë të përjashtuar nga kompensimet për orët shtesë e ndërrimet e natës.
Siguria në vend, e brishtë dhe e luhatshme sikurse është këto vite, e vënë në rrezik nga veprime të pakoordinuara, përpos që ka destabilizuar çdo raport të ndërtuar me partnerët tanë të sigurisë, po vë në rrezik edhe mirëqenien e përditshme të njeriut me uniformë në Kosovë. Çmimet e rritura, faturat e fryra dhe pagat e njëjta ia pamundësojnë punën e dinjitetshme secilit, e sidomos këtyre kategorive që vënë në rrezik jetët e tyre.
Prandaj dhe dëgjojmë çdo ditë që polici e ushtari po largohen nga detyrat e tyre fisnike për të siguruar mirëqenie familjare. Kjo katandisje vlerash është kryekëput rezultat i një qeverie që do mbahet mend për dëmin më të madh që i është bërë Kosovës së pasluftës.