×
  • Lajme
  • Lajme

    Haradinaj: Vjosa Osmani e solli Kurtin në pushtet, duhet t’i kërkojë falje Kosovës

    Insajderi
    21 November 2024 - 15:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar që presidentja Vjosa Osmani t’i kërkojë falje Kosovës për pasojat e koalicionit që solli Albin Kurtin si kryeministër, shkruan Insajderi.

    Haradinaj tha se presidentja Osmani është pjesë e zhvillimeve që, sipas tij, kanë dëmtuar vendin.

    Ai tha se Osmani, duke qenë pjesë e shumicës që ka udhëhequr vendin, duhet të pranojë përgjegjësinë për situatën e krijuar.

    Kryetari i AAK-së u shpreh se pas katër vitesh përpjekjesh, ka ardhur koha që presidentja të tregojë vetëdije dhe të kërkojë falje nga qytetarët.

    “Ne që katër vite i bëjmë thirrje presidentes që t’i thërrasë vetëdijes së vet dhe të tregojë qytetarëve se zhvillimet nuk janë në rrugë të mirë për vendin, sidomos nga ana e kryeministrit”, tha Haradinaj, duke aluduar në veprimet e Kurtit dhe qeverisë së tij.

    Haradinaj theksoi se, sipas tij, ky koalicion ka shkaktuar shumë dëm dhe ka ndikuar negativisht në stabilitetin e Kosovës, duke përmendur “bixhozin dhe pabesinë ndaj Kosovës” si pasojë të menaxhimit të qeverisë aktuale.

    “Ma mirë vonë se kurrë, por ka ndodhur shumë dëm. Ka ndodhur shumë bixhoz dhe pabesi ndaj Kosovës pikërisht nga ky koalicion, nga kjo shumicë të cilës i ka takuar edhe presidentja Osmani”, deklaroi ai në rtv21.

    Ai tha se për këtë arsye, AAK-ja nuk mori pjesë në seancën e fundit të Kuvendit, duke akuzuar presidenten Osmani për përgjegjësi në krijimin e shumicës që, sipas tij, ka dështuar të udhëheqë vendin siç duhet.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark