Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se qeveria e koalicionit LDK-PDK, nuk po funksionon dhe se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.
Ai ka thënë se Kosova ka shumë arsye për të shkuar në zgjedhje, pasi sipas tij është prishur ekuilibri i brendshëm i vendit dhe se zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nuk janë larg.
“Ne mendojmë se duhet Kosova të shkojë në zgjedhje sa më shpejt. Qytetarët vërtetë kanë qejf të ju jepet mundësia, që të kthehet në vendimmarrës, që të vendos. Ne nuk mund të themi kur por zgjedhjet nuk janë larg. Mund të shpallen këtë vit, por unë them se zgjedhjet janë larg”, ka thënë Haradinaj, në emisionin Debat, në Radiotelevizionin e Kosovës.
Haradinaj ka shprehur edhe nevojën që ka Kosova për tu mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Kjo gjendje po i kushton edhe vendit. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje. Këtë gjë duhet ta kuptojë edhe mazhoranca. Nuk kemi nevojë të presim më shumë”, ka thënë lideri i AAK-së. /Insajderi.com