
Hakerët iranianë që vodhën të dhënat shtetërore të shtetit shqiptar tashmë i kanë vendosur ato në shitje. Insajderi merr vesh se për bazën e të dhënave për mbi 100 mijë shqiptarë që janë nën hetime, ata kërkojnë deri në 10 mijë dollarë.
Insajderi
“Kutia e Pandorës është hapur. Qeveria arrogante vazhdon të mohojë në mënyrë të dëshpëruar të vërtetën”, kështu e kanë nisur fushatën e shitjes së të dhënave hakerët iranian që po e shfaqin vetën në publik me emrin “Homeland Juistice”.
Së fundmi ata publikuan lista të personave që janë të dyshuar nga autoritetet shqiptare, ku përfshihen emrat, numrat personal dhe për disa edhe fotografitë.
Por, ky grup hakerësh që ka kryer një sulm masiv në Shqipëri, ku ka hakuar madje edhe e-mailin e Kryeministrit Edi Rama e ish-Drejtorit të Policisë, Gledis Nano e i ka nxjerr në publik, ka paralajmëruar se ka në posedim edhe krejt listën e të dyshuarve për çfarëdo vepre në Shqipëri.
Sipas tyre, ata kanë bazën e të dhënave me krejt detajet për këta persona, përfshirë edhe veprat për të cilat po dyshohen, provat që mund të kenë autoritetet e zbatimit të ligjit- gjithçka.
Krejt çka duhet që të bëhet në këtë rast është që hakerët të paguhen përmes BitCoin.
Insajderi merr vesh se çmimi për një bazë të të dhënave, nga 20 sa i kanë nxjerr në shitje është 400 dollarë, kurse nëse i merr të gjitha përnjëherë, ata bëjnë edhe një zbritje duke i ofruar ato për 10 mijë dollarë së bashku.
“Deep Sea’ përfshinë të gjitha informacionet e mundshme për çdo person me ndonjë histori kriminale. Ai përfshin informacione të hollësishme të historisë, vendndodhjen dhe kontaktet aktuale të njohura, raporte të detajuara të bëra nga agjentët e policisë, gjithashtu informacione të këtyre agjentëve të policisë”, thuhet në njoftimin e “Homeland Juistice”/GazetaInsajderi