Harley Davidson elektrik do të prezantohet më 6 nëntor të vitit 2019, në Milano. Ky do të jetë versioni i parë i kompanisë prestigjioze të motorëve të markës Harley Davidson me karikim elektrik.
Ai do të kushtojë 25 mijë euro dhe shpejtësia maksimale e tij do të arrijë deri në 160 km në orë.
Inxhinierët projektues janë përpjekur që përveç ndryshimit të mënyrës së të ushqyerit, te Harley të mos ndryshojnë asgjë tjetër në lidhje me autenticitetin e fizionomisë së tij dhe rehatinë që e karakterizon.
Mundësia për t’i dhënë më tepër fuqi këtij modeli ekzistonte. Por, për të mos e deformuar dhe rënduar me bateri të rënda fizionominë klasike të Harleyt, inxhinierët menduan që më mirë ta kufizonin në fuqi, duke i ruajtur ama elegancën në pamje.
Debutimi i këtij modeli është i shumëpritur. Që nga viti 1903, Harley nuk ka prodhuar një model kaq revolucionar. Megjithatë, janë të shumtë edhe ata që e urrejnë modelin e fundit elektrik, për shkak të eliminimit të vibrimeve karakteristike nga motori, qoftë në ndezje, qoftë përgjatë udhëtimit.