Arsyeja pse po vazhdoj të merrem dhe të flas publikisht për çështjet aktuale të Federatë së Futbollit e Kosovës (FFK) lidhet drejtpërdrejt me paralajmërimet që kam bërë qysh vitin e kaluar: paligjshmëria, kamuflimi dhe instalimi i frikës nuk duhet dhe nuk guxojnë të vazhdojnë në një institucion kaq të rëndësishëm të shtetit.
Shkruan: Taulant Hodaj
Kosova ka paguar një çmim të jashtëzakonshëm për t’u çliruar dhe për t’u ndërtuar si shtet demokratik, prandaj nuk duhet lejuar që FFK si organizata kryesore e sportit në vend të funksionojë me logjikë të mbyllur, autoritare, të ngjashme me një “sistem të Koresë së Veriut”. Qëllimi im është i qartë: instalimi i demokracisë, integritetit dhe standardeve të qeverisjes së mirë, ashtu siç kërkohet nga ligji dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, pretendimi i FFK-së për “harmonizim të Statutit” në vitin 2025 është i pavërtetë.
Si ish Sekretar i FFK-së dhe akter i drejtpërdrejtë i proceseve statutore dhe të licencimit në vitin 2023, e ndjej për obligim publik ta sqaroj këtë çështje. Publikimi i fundit i FFK-së, sipas të cilit Statuti qenka “harmonizuar” në Kuvendin e vitit 2025 dhe se gjoja UEFA, FIFA dhe MKRS nuk kanë më vërejtje, nuk qëndron.
Ky është një kamuflim i rremë, në kundërshtim të plotë me faktet, me shkresën zyrtare të Ministrisë (shih foton), si dhe me vërejtjet dhe komentet e dërguara nga UEFA dhe FIFA në vitin 2023, menjëherë pas miratimit të Statutit të ri.
Ndryshimet e miratuara në vitin 2025 nuk kanë asnjë lidhje me këto qe pretendohen ne kete postim te FFK-se, komentet dhe vërejtjet të cilat kanë qenë të qarta që në vitin 2023 lidhen drejtpërdrejt me integritetin e procesit zgjedhor dhe barazinë në garë.
Sipas vetë shkresës së MKRS-së, nuk ka përfunduar licencimi i lidhjeve rajonale, i katër (4) shoqatave profesionale dhe i disa klubeve. Në total, FFK ka rreth 40 anëtarë, nga të cilët një vetëm klubet e superligës dhe një pjesë e konsiderueshme e ligës së parë, ndërsa pjesa tjetër e lidhjeve dhe shoqatave nuk janë të licencuar, ndonëse kjo ka qenë kusht i shprehur i Ministrisë dhe zotim i marrë nga vetë FFK-ja, si dhe pjesë e dakordimit me UEFA/FIFA.
Ndërkohë, ndryshimet e vitit 2025 në këtë postim të FFK-së janë thjesht kozmetike dhe procedurale dhe nuk prekin fare kërkesat reale të Ministrisë, UEFA-s dhe FIFA-s të përcaktuara në vitin 2023. Vetë Ministria, UEFA dhe FIFA kanë theksuar qartë se vërejtjet e vitit 2023 nuk janë adresuar, veçanërisht ato që çojnë në bllokim faktik të procesit zgjedhor, ku sot vetëm një kandidat realisht mund të kandidojë.
Përfundimisht, pretendimi se Statuti i FFK-së është “harmonizuar” dhe se nuk ka më vërejtje institucionale nuk është i saktë. Bëhet fjalë për krijim të perceptimit të rremë.